Trupi juaj
Urime, jeni shtatzënë!
Në këtë periudhë shumë gra nuk ndihen e as nuk duken ndryshe, po kjo nuk duhet t’Ju shqetësojë. Nëse ndiheni ndryshe, do të thotë se jeni më e lodhur se zakonisht, madje e rraskapitur, si dhe mund të keni marramendje. Shumë gra shtatzëna kanë të përziera, ndonjëherë edhe të vjella. Këto simptoma me një emër quhen ‘’ të përzierat e mëngjesit’’, ndonëse mund të shfaqen në çdo orë të ditës apo natës, dhe, varësisht nga fati që keni, mund të zgjasin gjithë ditën. As kjo nuk duhet t’Ju shqetësojë. Të përzierat e mëngjesit janë shenjë e një shtatzënësie të shëndetshme, kurse pas javës së 13/14 ka gjasa të ndiheni më mirë.
Në këtë periudhë metabolizmi nis të përshpejtohet duke bërë që të shtoni peshë gradualisht. Gjinjtë tashmë i keni të ndjeshëm. Përveç kësaj, mund të keni kapsllëk ose nevojë për urinim të shpeshtë. Gjithsesi nuk duhet të kufizoni sasinë e ujit e as konsumimin e frutave dhe perimeve të freskëta.
Nëse deri tani nuk keni qenë te gjinekologu, tani është koha të lini takim për të konfirmuar shtatzënësinë dhe për të marrë informatat dhe këshillat e para.
Fëmija juaj
Në këtë periudhë të shtatzënësisë, deri në javën e 8-të, të gjitha organet e fëmijës Suaj duhet të jenë në vendin e duhur, ndonëse zhvillimi ka akoma shumë punë. Në fund të kësaj periudhe fëmija Juaj fillon të marrë pamjen tipike të fëmijës, me gjatësi përafërsisht 2,5 cm. Zemra e tij nis të rrahë me rreth 180 rrahje në minutë dhe mund të dëgjohet me ultrazë. Kjo do të thotë se tashmë trupi i vogël ka qarkullimin e vet.