Gjidhënia

A është gjidhënia zgjedhja e duhur për Ju?

Qumështi i nënës është ushqimi më i mirë për fëmijën Tuaj sepse është i përshtatur në mënyrë të përkryer për nevojat e fëmijës, duke e bërë atë ushqimin e duhur për të. Qumështi Juaj përmban i të gjitha elementet ushqyese dhe mbron fëmijën nga infeksionet dhe sëmundjet.

Gjidhënia është e mirë edhe për Ju. Ajo ndihmon trupin Tuaj të kthehet në formën para shtatzënësisë8 dhe mund të ulë rrezikun nga kanceri i gjinjve dhe vezoreve, osteoporoza, sëmundjet kardiovaskulare dhe mbipesha. Mos harroni se gjidhënia nuk kushton dhe është gjithmonë rezervë qumështi e menjëhershme për fëmijën Tuaj.

Ka gra që aktin e dhënies gji e kanë të lehtë dhe të natyrshëm, siç ka të tjera që kanë nevojë për më shumë durim dhe këmbëngulje, sidomos nëse kanë fëmijën e parë.

Gjithsesi, ka edhe arsye pse nuk duhet të jepni gji, si p.sh.: kur fëmija Juaj nuk thith dot, për shkak se krijimi i qumështit është në lidhje direkte me kërkesën për qumësht. Shumë gra kanë dhimbje, thithka të plasura, madje edhe kanale të bllokuara dhe infeksione, dhe kjo e kthen gjidhënien në sfidë të rëndë duke bërë që të hiqet dorë nga ajo, sidomos nëse kjo ndikon mbi shëndetin e tyre emocional. Ka gra që vuajnë nga anemia serioze ose nga probleme të tjera shëndetësore, dhe në këtë rast nuk rekomandohet dhënia gji.

Pasi t’i keni shqyrtuar të gjitha mundësite dhe të vendosni të mos jepni gji, nuk duhet të ndiheni në faj për këtë. Qumështi i adaptuar do të sigurojë gjithçka që i duhet fëmijës për rritje dhe zhvillim. Ai ofron mundësinë që edhe partneri Juaj të përfshihet në këtë proces, dhe kjo nga ana tjetër do të thotë më pak brengosje se ajo që hani dhe pini mund të kalojë te fëmija.

Pavarësisht vendimit për të dhënë gji ose jo, të ushqyerit e fëmijës është mënyra më e bukur për të ndërtuar lidhje përplot me dashuri me fëmijën, duke e mbajtur afër vetes, duke vënë kontakt me sytë, teksa i flisni me dashuri dhe ëmbëlsi. Në fund fare, të qenët prind është më shumë se dhënie gji.


Keni vendosur të ushqeni me gji…

Ditët e para gjinjtë Tuaj do të prodhojnë një lëng të verdhëllemë që quhet kulloshtër. Kulloshtra i ndihmon sistemit tretës të fëmijës që të nisë punën si dhe mbron nga infeksionet. Më pas gjinjtë Tuaj do të nisin të prodhojnë qumësht, dhe ju do t’i ndieni ata të plotë dhe të ngrohtë.

Sfida më e madhe gjatë gjidhënies është në muajin e parë, atëherë kur Ju dhe fëmija Juaj mësoni teknikën e gjidhënies. Në këtë periudhë ushqimi me gji është më i shpeshtë dhe më i gjatë, derisa fëmja të fitojë forcën dhe ritmin. Duhet ta dini se rezervat e qumështit varen nga kërkesa, pra sasia e prodhuar rritet ose zvogëlohet varësisht sa shpesh e ushqeni fëmijën. Kjo është arsyeja pse rekomandohet që fëmijën ta ushqeni sa herë që ai shfaq interes për këtë (të ushqyer sipas nevojës), ndonëse në fillim do t’Ju duket sikur po jepni gjithë kohës.

Kur fëmija është i uritur, mund të jetë i shqetësuar, të thithë gishtat ose grushtin, ose të kthejë kokën dhe të hapë gojën. Është e udhës që fëmija të ushqehet sapo të japë shenjat e para të urisë meqë një fëmijë që qan është më vështirë të ushqehet.


Si të jepni gji?

Gjidhënia është teknikë e cila do përvetësuar si nga nëna, ashtu edhe nga fëmija dhe për këtë duhet kohë dhe durim. Nëse ky është fëmija i parë, është e rëndësishme teknikën ta mësoni mirë. Nëse nuk keni shkuar në ligjëratën e gjidhënies, mund të këshilloheni me infermieren Tuaj të patronazhit, e cila do t’Ju ndihmojë të mësoni teknikën e gjidhënies duke ndarë me Ju këshilla të rëndësishme. Me këtë do të siguroheni se fëmija Juaj ushqehet mirë dhe do të rritni vetëbesimin për të mos ndryshuar vendimin për të dhënë gji.

Fëmijën mund ta ushqeni në pozita të ndryshme, po është shumë e rëndësishme që Ju të keni pozitë të rehatshme. Për t’u mbështetur mund të përdorni jastëkë nëse Ju ndihmojnë. Gjatë dhënies gji koka dhe trupi Juaj duhet të jenë në vijë të drejtë, kurse mbështetja duhet të jetë te qafa, krahët dhe shpina, që fëmija të mund të lëvizë kokën dhe të thithë më lehtësisht. Për të pasur kontakt më të mirë me gjirin duhet që fëmija të jetë afër tij dhe jo të afroni gjirin te goja e fëmijës. Është mirë që hunda e fëmijës të fokusohet te thithka, që të detyrohet ta hapë gojën gjerësisht. Është shumë e rëndësishme që fëmija ta kafshojë thtithkën me gjithë gojën, ashtu që thithka Juaj të mbetet te pjesa e pasme e gojës. Gjatë gjidhënies së drejtë koka e fëmijës duhet të lakohet pak mbas dhe të prekë gjirin me mjekrën, kurse hunda të ngelet e lirë për të marrë frymë.

Është mirë që të jepni gji herë me njërin, herë me tjetrin gji, duke i ndërruar ata. Gjatë gjidhënies me të dy gjinjtë duhet të provoni së pari të zbrazni njërin gji, e pastaj të kaloni te tjetri. Kjo është e rëndësishme meqë qumështi i parë është më i lëngshëm, e më pas ai bëhet më i trashë dhe plot me kalori.

Mund të vini re se mund të keni shumë ose pak qumësht te gjinjtë Tuaj. Kjo është normale, dhe pas një kohe sasia e qumështit duhet të përputhet me orarin e ushqimit të fëmijës.

Nëse ju tepron qumështi, pra keni më shumë se ç’mund të thithë fëmija Juaj, mund të provoni që një pjesë ta milni përpara se të ushqeni fëmijën. Mund të ndodhë t’Ju rrjedhë qumësht kur nuk po jepni gji, dhe kjo është normale që flet se prodhoni majftueshëm qumësht. Vatat e gjinjve mund t’Ju japin më shumë rehati.

Duhet të jeni të vetëdijshme se nëse pas një periudhe më të gjatë nuk milet teprica e qumështit, mund të merrni infeksion të indit të gjinjve, gjendje kjo që njihet me emrin mastit. Gjintë skuqen, ënjtjen, janë të ngrohtë dhe të dhimbshëm, mund të keni edhe simptoma si dhimbje koke dhe temperaturë. Është e rëndësishme të vazhdoni gjidhënien ngaqë kjo është mënyra më e mirë për të hequr mastitin. Nëse simptomat zgjasin edhe pas ca ditëve, shkoni te mjeku.

Mund të mos keni qumësht të mjaftueshëm dhe të vini re së fëmija Juaj është i paqetë pas gjidhënies dhe nuk shton në peshë. Në këtë rast duhet të konsideroni që gjidhënien ta plotësoni me qumësht të adaptuar duke i analizuar opsionet bashkë me pediatrin Tuaj.


A pi mjaftueshëm qumësht fëmija im?

Shumica e nënave në ditët e para të jetës së fëmijës brengë kryesore kanë nëse fëmija e tyre pi mjaftueshëm qumësht. Ju nuk mund të matni sasinë e qumështit që prodhoni, po mund të ndiqni disa shenja specifike. Pas ushqimit fëmija duhet të jetë i ngopur dhe i lumtur. Tregues tjetër është nëse pelenat janë të njoma po të thata. Pas disa ditësh fëmija Juaj duhet të bëjë të paktën 6 pelena të mbushura (të rënda) brenda 24 orëve, dhe, që është shumë e rëndësishme, duhet të bëjë jashtëqitje të butë me ngjyrë të verdhë. Është normale që në dy javët e para fëmija të humbë një pjesë të peshës me të cilën ka lindur, por më pas duhet të shtojë peshë, dhe kjo është një tregues tjetër nëse ka rezerva të mjaftueshme qumështi.

Gjidhënia nuk duhet të jetë e dhimbshme, ndonëse ditët e para mund t’ju dhëmbin thithkat, dhe kjo është normale. Nëse thithkat mbeten të thata, të plasura ose me gjak, kjo është shenjë se fëmija Juaj nuk i kap si duhet. Mund të përdorni produkte për përkujdesjen e thithkave, por e mira do të ishte të konsultoheshit me infermieren e patronazhit, në mënyrë që të jepni gji si duhet.


Bëjeni gjidhënien të rehatshme dhe praktike

Që gjidhënia të jetë sa më e rehatshme, mund të merrni në konsideratë të mbani sutjena për gjidhënie të cilat janë shumë praktike dhe sigurojnë qasje të shpejtë. Gjithashtu është e udhës të mbani bluza me grykë të gjerë ose me kopsa nga para, kurse mbajtja e një shamie rreth krahut mund të jetë praktike dhe t’Ju ofrojë më shumë intimitet, sidomos nëse jeni jashtë.